Feb 272020
 

Përmbyllja e suksesshme e „Turneut të Pavarësisë“, që mbahet tradicionalisht për nder të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e që këtë vit kishte karakter HUMANITAR, krijoi bazën e takimit të kryesisë së Ligës Shqiptare të Futbollit në Austri me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë Z. Roland Bimo.

Në këtë takim, të datës 26.02, në të cilin anëtarët e kryesisë së Ligës Shqiptare u mirëpriten nga ambasadori Bimo, u vlerësua vullneti i qytetarëve për të ndihmuar Shqipërinë në mëkëmbje pas termetit.

Pos individëve që vullnetarisht mbështetën aksionin humanitar, në mbledhjen e mjeteve kontribuuan edhe aktivistët e Ligës Shqiptare së bashku me kryesinë, si dhe gjashtëmbëdhjetë (16) ekipet pjesëmarrëse, që së bashku realizuan shumën në vlerën 2.300 € .

Kryesia e Ligës Shqiptare të Futbollit në Austri falënderon të gjithë ata që kontribuuan në këtë aktivitet dhe vlerëson lartë punën e aktivistëve dhe cilësinë e mbarëvajtjes së turneut!

Mjetet e mbledhura do të derdhen, pa ndërmjetësues, në buxhetin e Republikës së Shqipërisë, gjë që ishte edhe qëllim i kryesisë, në mënyrë që shuma e mbledhur të shkojë në tërësi aty ku duhet, te organet shtetërore.

Me kërkesën e ambasadorit të ri të Republikës së Kosovës në Vjenë, Z. Pllana, më 24.02, kryesia e Ligës Shqiptare ishte ftuar në takimin zyrtar në ambientet e ambasadës.

Në këtë takim, që në radhë të parë kishte karakter njoftimi në mes të ambasadorit të ri dhe aktivistëve shqiptarë në diasporën shqiptare, u vlerësua puna e aktiviteteve dhjetëvjeçare e Ligës Shqiptare, ku pa ndërprerje kishte aktivitete të njëpasnjëshme.

Ambasadori Pllana ishte i informuar nga stafi i ambasadës rreth aktiviteteve të Ligës Shqiptare dhe ishte mirënjohës për punën e deritashme, ku përmendi edhe vlerën e aktiviteteve të tilla.

Në bisedimet pothuajse dyorëshe, pos tjerash, ambasadori u informua rreth planeve, bashkëpunimeve, vështirësive dhe synimeve të kësaj lige, si dhe u përshkrua shënimi ceremonial i 10 Vjetorit të Ligës Shqiptare, ku ishin ftuar federatat e futbollit, ministritë përkatëse, ambasadat tona dhe zyrtarë të tjerë, që nderuan aktivitetin e veçant me pjesëmarrjne e tyre.

Në fund, ambasadori përgëzoi punën e aktivistëve dhe të kryesisë, gjë që, siç u shpreh ai, nuk është parë kësi aktiviteti askund në botë në mërgatën shqiptare, me kaq shumë vullneti dhe punë.

Në emër të kryesisë falënderojmë ambasadat dhe ambasadorët, Z. Bimo dhe Z. Pllana, për përkrahje dhe respekt në punën tonë!

Ekipi për informim (A.J.)

 

 27. Februar 2020