Në përmbyllje të KAMPIONATIT TË GJASHTË me radhë, fati ishte në krahun e dashamirëve të sportit, edhe pse këto ditë moti nuk ishte i mirë dhe me temperatura të ulëta! Si gjithnjë publika pjesëmarrëse dhe mysafirët që erdhën, sollën në BARBARA STADION, në Prottes, si gjithnjë, shpirtin e ngrohtë të tyre, ku me këngë e valle dhe me kuzhinën tonë tradicionale, u përmbyll edhe ky vit në Ligën Shqiptare të Futbollit në Austri!
Ishte për çdo lavdatë pjesëmarrja e familjeve në këtë manifestim, që hijeshonin tribunat e stadiumit të futbollit, ku vazhdimisht dita ditës numri i tyre po shtohet në manifestimet e tilla të komunitetit tonë!
Njoftimin që kishim, se në përmbyllje të kampionatit do të kemi edhe kuzhinën tonë, bashkëkombasit tanë si duket i kishte joshur pa masë, pasi që turma pothuajse të rregullta, rrethonin punën në kuzhinë, ku pa pushim për dëshirën e tyre u vinte në shërbim Mexhid Bislimi, i cili tashmë njihet në komunitetin tonë, për cilësinë e vlerës në përgatitje të ushqimeve tona tradicionale!
Syri i fotografistëve tanë, kishte pothuajse obligim që të na sigurojë këso pamjesh! 😉
Për familjarët dhe mysafirët që kishin shpreh dëshirë për të marrë pjesë në këtë ditë festive, Liga Shqiptare e Futbollit në Austri, në takimet e rregullta përgatitore për këtë përmbyllje, këtë vit, mori përsipër që të organizojnë transportin e tyre me autobus, gjë që rezultoi, përkundër kushteve atmosferike, me një pjesëmarrje mjaft masive.
Për nënat, motrat dhe bijat tona, në mënyrë që të kalojnë sa më mirë, iu ofrua mundësia e shfrytëzimit të kantinës së stadiumit, ku ngrohja me standarde pa dyshim që nuk mungonte, dhe ku patën rastin edhe të njihen mes veti më për së afërmi, pasi që rreth Ligës Shqiptare mblidhen bashkëkombas nga të gjitha trevat tona, të shpërndarë nëpër shumë shtete.
Shkallën e kënaqësisë e ngritnin vazhdimisht grupet moshave të ndryeshme të valltarëve të Shoqatës „12 Qershori“, të udhëhequr nga e nderuara Rolanda Limani, që për kënaqësinë e publikut dhe për nder të përmbylljes së Kampionatit 2015, kishin ardhë në stadiumin e futbollit, që tashmë për këtë shoqatë është i njohur edhe nga manifestimet e tjera me bashkëpunimet e shpeshta mes Ligës Shqiptare të Futbollit në Austri!
Kënaqësinë e publikut e shqoi pjesëmarrja e grupit simpatik të fëmijëve të moshave të vogla, të cilët edhe pse në moshën më të re, treguan kapacitetet dhe njohuritë e tyre, gjatë kërcimeve të valleve tona tradicionale, ku me veshjet e tyre kombëtare dhe me lëvizjet e tyre të qiltërta, gëzonin përkrahjen e publikut dhe të gjithë pjesëmarrësve, ku nga euforia duartrokitjet e publikut pothuajse nuk donin të pushojnë.
Pamje nga simpatikët dhe trashegimtarët e kulturës sonë.
Për të gjithë të pranishmit, në stadiumin e futbollit Barbara Stadion, në Prottes, në mesin tonë kishin ardhë të ftuar edhe grupi „SHQIPET ETNIKE“, tashmë të njohur në mesin tonë, të përbërë nga Behar Goqaj dhe Bekim Gjokaj, që vlerat e folklorit i ruajnë dhe i kultivojnë ashtu si ju ka hije, duke ruajtur kthjelltësinë e tingujve të veglave folklorike të kombinuara për mrekulli me tekste autoktone shqipe.
Në valën e emocioneve të folklorit tonë, grupit iu bashkua edhe folkloristi i ri, për ne i njohuri ALBANI, i cili së bashku me „SHQIPET ETNIKE“, këndoj për dëshirën e publikut, duke shtuan spontanisht programin e përgatitur për këtë ditë festive. Nga brohoritjet „edhe një, edhe një…“ dhe duartrokitjet e shumta nga publiku, treshja folklorike „u detyrua“ t’i nënshtrohet dëshirës së shumicës, për të vazhduar me këngë folklorike, duke pasuruar edhe më shumë programin e përmbylljes festive të garave kampionale për këtë vit.
Syri i fotografëve tanë, kishte fokusuar fytyrën e njomë dhe joshëse të Albanit, që për ato çaste ishte në mesin e publikut, kurse zërin e tij aq të „shijshëm“, kishin nderit ta shijojnë vetëm pjesmarrësit e asaj dite të diel, që na ngrohu shpirtin tonë. 🙂
Edhe shpresat e reja, për të cilët ishte krijuar fusha e veçantë, me përmasa të përshtatshme për ata, shijuan ndjenjën e të qenit në fushën e gjelbër të futbollit, ku në një të ardhme të afërt, shpresojmë të bëhen yjet që do të na përfaqësojnë në arenat ndërkombëtare.
Përderisa në të gjitha anët kishte aktivitete të larmishme, për secilin diçka, në fushën e lojës luheshin ndeshjet e fundit të kësaj dite, nën përcjelljen e vëzhguesëve dhe të grupit të referëve, që veprojnë në kuadër të ligës, për të finalizuar më pas gjithçka, sipas planit të organizatorëve.
Konsulli i Republikës së Kosovës, Z. Ymer Lladrovci, pas fjalës përshëndetëse, ku lavdëroi punën gjashtëvjeçare të kësaj lige, së bashku me kryetarin e Ligës Qani Sulejmani, me përfaqësuesin e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, Z. Abdullah Abdullahu, dhe me anëtarët e tjerë të kryesisë së Ligës Shqiptare, filluan ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve.
Tradita në Ligën Shqiptare të Futbollit në Austri, për të vlerësuar në mënyrë sa më profesionale çdo kontribues, për sukseset e arritura gjatë vitit, tashmë është e njohur, prandaj numri i shpërblimeve është i shumtë.
Të nderuar vizitorë dhe dashamirë! Për arsye të ngarkesës me punë të ekipit teknik dhe të atij për informim, informatat tjera do t’i publikojmë së shpejti, prandaj për sot po e përmbyllim me kaq! Ju falënderojmë për vizitë dhe ju mirëpresim në pjesën e dytë të informatava!
Ekipi për informim
FC TIMI, me rastin e shpalljes KAMPION i vitit, ka lëshuar në përdorim faqën e vet www.fctimi.eu ku së shpejti do të kompletohen edhe foto dhe informata në lidhje me këtë ekip, që vazhdon të mbetet në Ligën Shqiptare, që nga themelimi i saj!