PËRFUNDON ME SUKSES PJESA PRANVERORE NË LSHFA
Sot ishte një ditë tejet e bukur, nën gërshetimin e sportit dhe kulturës. Në praninë e shumë adhuruesve të futbollit, që kishin ardhur të përcjellin raundin e fundit të sezonit pranveror, ku në përmbyllje ju bashkangjit edhe vallja shqiptare e realizuar nga SHKA „12 Qershori“ nga Vjena, përfundoi pjesa e parë e kampionatit në LSHFA. Si zakonisht, ekipet ishin ato të cilat së pari i ofruan kënaqësinë publikut të mrekullueshëm. U zhvilluan shumë ndeshje interesante dhe cilësore, ku pak a shumë edhe rezultatet dolën ashtu siç priteshin. Befasia e këtij raundi ishte ekipi Kf „Struga“, të cilët sot u paraqitën shumë të organizuar dhe të motivuar për fitore dhe këtë e ndjeu shumë mirë ekipi „Afrim Zhitia“, i cili pësoi një humbje të thellë me rezultatin 13:3. Kf „Struga“ filloi po me këtë gjallëri edhe kundër Fc „Megi“, por në këtë ndeshje doli krejt e kundërta dhe rezultati përfundimtar ishte 3:1 për Fc „Megi“, të cilët sipas të gjitha gjasave do të shpallen edhe kampion të vitit 2013,
sepse edhe ndeshjen e dytë e fituan me rezultatin 3:0. Duhet theksuar se në këtë raund edhe Fc „Timi“ mori dy fitore shumë të rëndësishme, duke fituar kundër ekipeve „Shqiponja“ me rezultatin 5:2 dhe kundër „Bish“ me 6:1 dhe me shumë meritë zë vendin e dytë të tabelës. Kf „Afrim Zhitia“ sot u nda me një fitore si dhe me një humbje, kurse jo të kënaqura me rezultatet ishin ekipet Fc „Shqiponja“ dhe „Bish“, të cilat pësuan nga dy humbje.
Pas përfundimit të ndeshjeve të parapara për këtë raund, në fushën e lojës dolën vashat dhe djemtë e SHKA „12 Qershori“ nga Vjena, të cilët të shoqëruar me duartrokitje të shumta nga të pranishmit prezentuan kulturën shqiptare nëpërmjet valleve dhe këngës shqipe, duke i ekzekutuar disa valle shqiptare.