Aug 082014
 

Shteti i katërt me radhë, pas Austrisë, Kosovës, Maqedonisë, është Shqipëria, në të cilin përfaqësuesit e Ligës Shqiptare të Futbollit në Austri bashkëpunojnë në mënyrë profesionale me sportistë, shoqata, institucione dhe sportdashës. Kjo dëshmon se sporti depërton nëpër të gjitha kanalet  e shoqërisë sonë dhe krijon lidhje dhe miqësi të reja, për një të ardhme më të begatshme.

Kryetari i Ligës sonë, Qani Sulejmani, me ftesë të Shoqatës Sportive „VLLAZNIMI“ me seli në Durrës,  i shoqëruar me gazetarin Shaban Sinani nga Tetova dhe me nënkryetarin e Federatës së Atletikes së Maqedonisë z.Bexhet Toci, ishte për vizitë në Shqipëri për të marrë pjesë në Turneun Ndërkombëtar të Futbollit 2014, tashmë i dhjeti me radhë, të organizuar nga Shoqata Sportive „Vllaznimi“ në Durrës për grupmoshat nga U11 deri në  U19 vjeç dhe vajza pa kufizim moshe, nga data 25.06.2014 deri më 06.07.2014.

Kjo vizitë dhe ky bashkëpunim, solli ngrohtësi si në biseda ashtu edhe në miqësi dhe gatishmëri për në të ardhmen. Të mirëpritur nga miqtë e sportit, gazetarët z.Defrim Methasani dhe z.Mejdan Zhivani, gjatë këtij turneu, u fol për mundësitë e bashkëpunimeve në të ardhmen, që edhe fëmijtë shqiptarë, kudo që janë, të bashkohen edhe përmes futbollit, në një të ardhme të afërt, në një forcë të madhe sportive.

Ashtu siq shkruan edhe z.Idriz Gashi për këtë takim, shqiptarët po i bashkon futbolli dhe ky është ambasadori më i mirë i të gjithë shqiptarëve në tërë Botën.

Duke uruar z. Qani Sulejmani dhe bashkëpunëtorët e tjerë, për punën dhe kontributin edhe gjatë kohës së pushimeve verore, ju urojmë edhe të gjithë sportdashësve pushime të këndshme verore!

Liga Shqiptare e Futbollit në Austri

 8. August 2014
Suffusion theme