Kampion i vitit 2012, në Austri, KF “Vllaznimi”
Kështu festoj kampioni i vitit 2012, KF,,Vllaznimi” në LSHF për Austri
Liga Shqiptare e Futbollit në Austri, përfundon
me sukses kampionatin
Atmosfera e ngrohtë e garave përmbyllëse të kampionatit sfidoi shiun e ftohtë vjeshtor. Koloritit i flamujve e veshjeve kombëtare mblodhën ngjyrat e ylberit në fushën e gjelbër me futbollistë përplot ambicie në hapat e tyre për nesër. Mysafir rasti, Dr. Ibrahim Makolli , Ministër për Diasporë dhe Dr.Sabri Kiqmari, ambasador , Z.Anton Marku, këshilltari i parë i Ambasadës së Kosovës në Austri. …talentet e rinj si Emanuel Shala, rekordmen evropian driblues futbolli duhet mbështetur…
Hazir MEHMETI, Vjenë
Në fshatin Prottes, periferia e Vjenës Liga Shqiptare e Futbollit përfundoj me sukses garat e saj të dyta. Tani me përvojë çdo gjë ishte më mirë e përgatitur dhe organizuar nga prijësit e Ligës, lojtarët dhe veprimtarët. Shiu i vjeshtës nuk e pengoi aq shumë rrjedhën e garave. Marren pjesë mes tjerash edhe Z.Ibrahim Makolli, ministër për diasporë,
Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri, z.Anton Marku, këshilltari i parë në Ambasadën e Kosovës dhe mysafir vendor lokal. Garat përmbyllëse të kampionatit i hapi kryetari i FSH të Futbollit në Austri z.Qani Sulejmani. Ai i përshëndeti mysafirët e rastit. Ndërsa në fjalën e tij ministri i diasporës Z. Makolli i ardhur enkas për këtë manifestim festiv mes tjerash tha: “Kam ardhur me kënaqësi të shoh talentet e reja të futbollit që po shkëlqejnë gjithandej botës në këtë kuadër edhe këtu në Austri, ku talentet po e bëjnë nderë shqiptarëve kudo që jemi. Do të dëshiroja që këta ta vazhdojnë rrugën e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, e shumë të rinjve futbollistë të talentuar” Kurse Dr.Sabri Kiqmari në fjalën e tij mes tjerash tha:” Në vazhdim fjalën e rastit e mori Dr.Sabri Kiqmari, ambasadori i Kosovës në Austri. Ai pasi i përshëndeti të pranishmit shtoi: “Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës ju përshëndeti përzemërsisht. Liga Shqiptare e Futbollit në Austri është njëra nga organizimet tona më funksionale këtu. Jam krenar me ju dhe gjithë stafin e juaj qe nga lojtaret, trajnerët, gjyqtarët. Ju dëshiroj suksese në mbajtjen e këtij hapi pozitiv edhe në vitet tjera. Gjithashtu, ekipi i parë shqiptare ,,Albania” në ligën rajonale vendor do ta ketë përkrahjen time të vazhdueshme. Urime skuadrës kampione “Vllaznimit”! Në vazhdim z. Sulejmani shtoi: “Sot është ditë e veçantë për pjesëmarrësit e kampionatit të futbollit. Një vlerësim i imi për të gjithë ata të rinj që e përkrahen ligën tonë. Shpresoj se ky bashkëpunim i ynë me të gjithë të interesuarit dhe përkrahësit tanë do vazhdoj edhe në të ardhmen. Porosia ime është për ata të rinj që nuk ishin pjesë e jona të na bashkëngjiten dhe le të shikojnë nga rezultatet e këtyre të rinjve sot këtu”. Ai i falënderoj në vazhdim të gjithë stafin që i dhanë jetë Ligës, gjyqtarët, anëtarët e komisioneve, trajnerëve, lojtarëve e në veçanti donatorët. Paraqitjen komunikuese me publikun rreth ecurisë dhe programit udhëhoqi veprimtari me përvojë dhe sekretar i Ligës z. Januz Saliuka. Ai veçan e përshëndeti z.Walter Danis, menaxher i stadiumit i cili gjithmonë gjeti mirëkuptim ndaj kërkesave tona, në shenjë nderimi atij iu nda mirënjohje. Rreth disiplinës dhe rrjedhës së garave raportin e paraqiti veprimtari z.Halil Jashari, arkëtar i Ligës. “Garat sollën kampionin e këtij viti, Ekipin e Futbollit ,,Vëllaznimi”, i cili grumbulloi 52 pikë nga ndeshjet e zhvilluara gjatë kampionatit. Nën kampione doli KF,,Struga” me 41 pikë e pasuar nga KF,,Megi” (34), ,,Timi”(34), “Shqiponja” (33), “Lahuta e Malësisë”(29), “Afrim Zhitia” (13), “Mërgimi” (11), “Bish” (8) dhe në fund ekipi “Gostivari” me 6 pikë. Për fituesit u ndanë kupa dhe medalje. Futbollisti më i mirë i ligës ishte Ambroz Malaj i ekipit të ,,Vëllaznimit” . Lojërat u karakterizuan me një disiplinë të lartë dhe respekt të ndërsjellët” . Ekipi më i disiplinuar u shpall ,,FC Timi” i menaxhuar nga Mexhid Bislimi. Komisioni disiplinor i përbërë nga Pal Lekaj, Rrustem Rrustemi, Robert Gjini, Musa Tahiri e Ridvan Limani nuk pati shumë punë në ndëshkimin e shkelësve të rregullores së garave. Haki Ramadani, ftiziatër i përfaqësueses së LShF ishte krenar me ecurinë kampionatit. Po ashtu gjyqtarët Avdullah Avdullahu, Xhevat Xhemajli u shprehën me optimizëm edhe për të ardhmen se lojërat do jenë brenda rregullave dhe respektit të ndërsjellët. Golashënuesi më i mirë ishte Mendim Maloku me 28 gola (KF ,,Timi”). Një ndihmë të madhe në komunikimin elektronik dha z.Amir Jonuzaj i cili mbikëqyr faqen e internetit, komunikimin e informimin.
Solo këngëtari i njohur Nikollë Gjini këndoi këngë nga melosi popullor e argëtues duke e bërë ambientin vërtetë festiv.
Meloditë vallëzuese në fushën e gjelbër u shoqëruan me vallëzimet motrave Edmonda e Rajmoda Spaqi, dy talente në recitim e vallëzim që ndritnin fushën me kostumet kombëtare. Ditën akoma më madhështore e bënë gatimet e grave të vyera shqiptare nga kuzhina e jonë me traditë. Torta e përfundimit u nda në pjesë qindëshe, duke ëmbëlsuar shpresën tonë për nesër.
Dr.Ibrahim Makolli, Ministër për Diasporë ishte i kënaqur me atë çka pa e përjetoi.