Në Prekaz u mbajt manifestimi “Dita e Diasporës dhe Mërgatës
Nën patronazhin e Ministrisë se Diasporës, me një manifestim të veçantë u shënua “Dita e Diasporës dhe e Mërgatës”. Shënimi i kësaj dite u bë në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, dhe u mbajt në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se kjo ngjarje po shënohet në këtë vend të shenjtë, në vendin ku u bë ndarja historike mes dy epokave, asaj të robërisë dhe së ardhmes së lirë. Ai falënderoi në veçanti mërgimtarët, të cilët për asnjë moment nuk kursyen dhe nuk po kursejnë asgjë nga vetja e tyre për t’i garantuar vendit tonë një të ardhme evropiane.
Me një fjale rasti, shënimin e “Ditës së Diasporës dhe Mërgatës” dhe këtë manifestim tradicional e përshëndetën edhe Rifat Jashari, Adem Demaçi dhe Muhamet Shatri.
Në pajtim me Ligjin e diasporës dhe mërgatës, ministri Makolli i dorëzoi çmimet vjetore për mërgimtarin dhe grupet e mërgimtarëve më të suksesshme.
Me çmimin vjetor u vlerësua shoqata bamirëse “Nënë Tereza” – Gjermani, për kontribut të veçantë në veprimtari humanitare. Françesko Altimari, për kontribut të veçantë për diasporën dhe mërgatën. Adem Shala, për kontribut të veçantë në arsimin plotësues. Talat Pllana, për kontribut të veçantë në arsimin plotësues. Shoqata e mjekëve shqiptaro – amerikanë, për kontribut të veçantë në veprimtari shkencore. Inva Mula për kontribut të veçantë në kulturë. Abdylatif Arnauti, për kontribut të veçantë në kulturë. Xherdan Shaqiri për kontribut të veçantë në sport. Liga shqiptare e futbollit në Austri, për kontribut të veçantë në sport. Fehmi Fetahi, për kontribut të veçantë në fushën e biznesit. Agim Ramadani, hero i kombit, për kontribut të veçantë jetësor (post mortem) dhe Aristidh Kola, për kontribut të veçantë jetësor (post mortem).
Po ashtu, u dorëzuan edhe mirënjohje për mediet e gazetarët të cilët kanë dhanë kontribut të veçantë në shërbim të informimit të diasporës.
Në kuadër të këtij manifestimi, me një program të pasur artistik u paraqiten, grupi “Xixëllonjat”, Okteti, grupi “Mjellmat”, Çun Lajqi, Qendra Kulturore e Fëmijëve të Suedisë (Okarina), Këngë me lahutë nga Isë Elezi etj./RadioRINIA/